Ndërtimet pa leje, shteti do të përfundojë objektet e konfiskuara dhe do t’ua dorëzojë blerësve
Projektligji i ri parashikon përfundimin e ndërtimeve të konfiskuara dhe dorëzimin e pronave te blerësit me kontrata.
Shteti do të mund të marrë përsipër përfundimin e objekteve të konfiskuara për shkelje të lejeve të ndërtimit dhe më pas t'ua dorëzojë pasuritë qytetarëve që kanë lidhur kontrata porosie, sipërmarrjeje apo premtim-shitjeje me ndërtuesit dhe zhvilluesit. Ky është një nga ndryshimet kryesore të parashikuara në projektligjin për administrimin e ndërtimeve të konfiskuara, i cili synon të zgjidhë situatën e blerësve që kanë paguar për apartamente në objekte të papërfunduara.
Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, gjatë diskutimeve në Komisionin parlamentar për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, shpjegoi se ndryshimet e propozuara në ligjin nr. 66/2023 synojnë jo vetëm konfiskimin e objekteve të ndërtuara në shkelje të lejes, por edhe përfundimin e punimeve dhe dorëzimin e pasurive te personat që kanë të drejta kontraktore mbi to.
Sipas saj, legjislacioni aktual parashikon konfiskimin e objektit, por nuk përcakton detyrimin për përfundimin e punimeve, një mangësi që synohet të korrigjohet përmes ndryshimeve ligjore.
“Ajo që merr përsipër draftligji që ne propozojmë është të përfundojmë të gjitha objektet që janë lënë të papërfunduara nga ndërtuesit dhe t’ua japim pasuritë e përfunduara subjekteve që kanë pasur kontrata sipërmarrjeje, premtim-shitjeje”, deklaroi Xhaja.
“Ligji aktual 66 nuk e parashikon këtë normativë, pra nuk parashikon që objekti duhet të përfundohet, por parashikohet thjesht konfiskimi i tij, ndërkohë që me ndryshimet ligjore ne kemi parashikuar edhe përfundimin e objektit total dhe dorëzimin tek personat që i kanë blerë”, shpjegoi kryeadministratorja e AAPSK-së.
Megjithatë, zbatimi i mekanizmit do të varet nga verifikimi i kontratave, gjendja fizike e ndërtimeve dhe procedurat që do të përcaktohen në kuadrin ligjor.
Si do të verifikohen blerësit dhe si do të përfundohen objektet?
Një nga elementet kryesore të projektligjit lidhet me identifikimin e qytetarëve që kanë të drejta mbi apartamentet apo njësitë e tjera të ndodhura në objektet e konfiskuara. Sipas Risena Xhajës, do të ngrihet një grup pune i posaçëm, i cili do të kontrollojë kontratat e lidhura përpara noterit për të identifikuar përfituesit e ligjshëm.
“Ligji ka parashikuar që një grup pune do të ngrihet për këtë qëllim, i cili do të kontrollojë të gjitha kontratat e lidhura përpara noterit dhe do të verifikojë kush janë subjektet që janë përfitues të këtyre pasurive dhe që kanë lidhur kontrata me zhvilluesin apo me ndërtuesin”, deklaroi ajo.
Paralelisht, AAPSK do të kryejë vlerësimin e gjendjes fizike të objekteve, për të përcaktuar nivelin e investimit të realizuar dhe punimet që kanë mbetur për t'u përfunduar.
“Ne kontrollojmë vetëm gjendjen fizike të objekteve, shohim se sa është investuar, çfarë pjese e objektit ka mbetur pa u investuar dhe pastaj bëhet në vazhdimësi prokurimi për projektimin e përfundimit të punimeve dhe projektimin e ndërtimit”, shpjegoi Xhaja.
Pas këtyre verifikimeve, do të ndiqen procedurat e prokurimit për projektimin dhe realizimin e punimeve të nevojshme, me synimin që objektet të përfundohen dhe njësitë t'u dorëzohen personave që provojnë të drejtat e tyre kontraktore.
Të ardhurat nga shitja e pasurive do të financojnë përfundimin e ndërtimeve
Projektligji parashikon gjithashtu një mekanizëm financiar për përfundimin e objekteve të konfiskuara. Sipas kryeadministratores së AAPSK-së, të ardhurat që do të sigurohen nga shitja e pasurive të konfiskuara do të përdoren për financimin e punimeve në ndërtesat e lëna të papërfunduara nga ndërtuesit.
Xhaja sqaroi se financimi i familjeve që përfitojnë nga programet e strehimit social rregullohet nga legjislacioni përkatës, ndërsa ndryshimet në ligjin nr. 66/2023 përcaktojnë një mekanizëm të veçantë për administrimin dhe përfundimin e ndërtimeve të konfiskuara.
Në këtë mënyrë, të ardhurat nga shitja e pasurive do të shërbejnë për të mbuluar ndërhyrjet e nevojshme, me qëllim që objektet të përfundojnë dhe të dorëzohen në kushte të përshtatshme për përdorim.
Aktualisht 16 objekte janë në procedurë parablerjeje
Gjatë diskutimit në komisionin parlamentar, Risena Xhaja bëri të ditur se aktualisht janë 16 objekte që i nënshtrohen procedurës së parablerjes, në zbatim të ligjit nr. 66/2023.
Sipas saj, bëhet fjalë kryesisht për ndërtime ku janë konstatuar shkelje të lejeve të ndërtimit, përfshirë ndryshime në volumet e objekteve dhe shtesa në ndërtimet ekzistuese.
“Janë 16 objekte të cilat i nënshtrohen parablerjes, janë objekte përgjithësisht që janë në shkelje të lejes së ndërtimit”, deklaroi Xhaja.
Me ndryshimet e propozuara, të drejtën e parablerjes do ta kenë vetëm subjektet që kanë tejkaluar lejen e ndërtimit, ndërsa subjektet që kanë ndërtuar tërësisht pa leje nuk do të përfitojnë nga ky mekanizëm.
Pasuritë e konfiskuara do të përdoren edhe për strehim social
Përveç mbrojtjes së interesave të qytetarëve që kanë lidhur kontrata me ndërtuesit, projektligji zgjeron kategoritë që mund të përfitojnë nga pasuritë e konfiskuara. Ndërsa ligji ekzistues ka mundësuar kalimin e këtyre pasurive për përdorim institucional, ndryshimet e reja përfshijnë shprehimisht edhe strehimin social dhe shoqërinë civile.
“Një nga arsyet pse po ndryshohet ligji është për strehimin social. Ne po përfshijmë një kategori jo vetëm institucionet, sepse kanë përfituar institucionet nga ligji ekzistues me pasuri të konfiskuara, por po zgjerojmë gamën e përfituesve”, u shpreh Xhaja.
Mekanizmi do të funksionojë mbi bazën e kërkesave që Ministria e Ekonomisë do të paraqesë për nevojat e strehimit social. AAPSK do të identifikojë pasuritë e disponueshme dhe të përshtatshme, ndërsa kalimi i tyre te Ministria e Ekonomisë do të realizohet përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave.
Kryeadministratorja theksoi se pasuritë që do të përdoren për strehim social duhet të jenë të përfunduara dhe të plotësojnë standardet e nevojshme për banimin e familjeve.
Investitorët përjashtohen nga përfitimi i pasurive të konfiskuara
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm i projektligjit lidhet me përjashtimin e investitorëve nga përfitimi i pasurive të konfiskuara. Sipas Xhajës, ky përcaktim synon të shmangë mundësinë që subjektet e përfshira në zhvillimin e ndërtimeve të përfitojnë nga pasuritë që i nënshtrohen konfiskimit.
Kryeadministratorja e AAPSK-së sqaroi gjithashtu se procedurat e legalizimit nuk janë pjesë e projektligjit në diskutim. Subjektet do të duhet të vetëdeklarojnë situatën e tyre në raport me procesin e legalizimit, ndërsa rastet që nuk plotësojnë kushtet dhe afatet e përcaktuara nga legjislacioni përkatës do të trajtohen sipas procedurave të konfiskimit.
Ndryshimet e propozuara në ligjin nr. 66/2023 synojnë të adresojnë situatën e qytetarëve që kanë paguar për apartamente në ndërtesa të papërfunduara, të cilat më pas janë konfiskuar për shkak të shkeljeve të lejeve të ndërtimit. Risia kryesore është që konfiskimi të mos mbetet vetëm një masë për marrjen e pasurisë nga shteti, por të shoqërohet me një mekanizëm për përfundimin e objektit dhe dorëzimin e njësive te blerësit që vërtetojnë të drejtat e tyre kontraktore.
Burimi: Ekofin
Më të lexuarat






k.jpg)